Micotakis rifreskon kabinetin pas rezultatit të papritur në zgjedhjet europiane

Kryeministri grek, Kiriakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis) vendosi të premten të ndërrojë disa prej ministrave të kabinetit si përgjigje ndaj rezultatit më të dobët se ç’priste ai në zgjedhjet europiane.
Qeveria e djathtë e drejtuar nga Demokracia e Re e Micotakisit doli e para në garën për Parlamentin Europian me 28,3 për qind të votave, por kryeministri kishte vendosur si objektiv 33 për qind, ndërkohë që në qershor 2023 fitoi me 40 për qind të votave në zgjedhjet kombëtare.
Këto lëvizje “tregojnë se ne e kemi marrë parasysh mesazhin e qytetarëve grekë”, tha këtë javë z. Micotakis, duke e trajtuar rezultatin si një “votë proteste”.
Formatimi i kabinetit vjen edhe pas krizës së kostove të larta të jetesës në vend, edhe pse në freskimin e fundit ministri i Jashtëm dhe ai i Financës, Kostis Haxidakis (o. Hatzidakis) e ruajnë postin.
Takis Theodorikakos do jetë ministër i Zhvillimit; Niki Kerameus ka marrë portofolin e Ministrisë së Punës; Nikos Panajotopulos (o. Panagiotopoulos) është vendosur në krye të Emigrimit; Theodoros Livanios do jetë ministër i Brendshëm, ndërsa portofoli i Ministrisë për Zhvillimi Rural i kalon Kostas Ciarasit (o. Tsiaras).
Kryeministri grek e ka përjashtuar skenarin e zgjedhjeve të parakohshme para vitit 2027, kur i mbaron mandati.
Z. Micotakis ka thënë se për problemin e kostos së jetesës, ai do përpiqet të luftojë rritjen e çmimit të ushqimeve, por nuk do të ulë taksat. /Reuters, Kathimerini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




