Mijëra fermerë nga e gjithë Greqia do të bllokojnë të martën Athinën

Greqi | 3 vite më parë

Mijëra fermerë nga e gjithë Greqia do të mbërrijnë me traktorët e tyre në Athinë të martën, teksa kulmojnë protestat e tyre.

Kërkesat e tyre përfshijnë kosto më të ulëta të karburantit dhe materialeve bujqësore, ulje të shpenzimeve të energjisë elektrike dhe një rinegociim të Politikës së re të Përbashkët Bujqësore të BE-së.

Zbritja e fermerëve me traktorët në qendër të Athinës pritet të shkaktojë konfuzion në qarkullim, për pasojë Autoriteti Rrugor do të bëjë rregullimin e qarkullimit për mitingun e planifikuar për pasdite në orën 18:30.

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve Michalis Chrysochoidis shprehu fillimisht kundërshtimin e tyre për ardhjen e tyre në kryeqytet me traktorë, duke sugjeruar në vend të tyre përdorimin e makinave dhe autobusëve. Megjithatë, qeveria në fund zgjodhi të mos përkeqësojë tensionet, duke lejuar që protesta e traktorëve të vazhdojë pa pengesa – një taktikë e parë në kryeqytetet e tjera evropiane gjatë protestave të fermerëve.

Qeveria pret që pas mitingut në Athinë, mobilizimet të lehtësohen. Fermerët vazhdojnë të marrin mbështetje të konsiderueshme nga publiku, me sondazhet që tregojnë se afërsisht 70% e grekëve solidarizohen me kauzën e tyre.

Por protesta e fermerëve nuk është e vetmja me të cilës i duhet të përballet qeveria greke. Po ashtu në protestë kanë dal dhe studentët  të cilët janë kundër miratimit të ligjit për hapjen e Universiteteve private.

Legjislacioni që lejon ngritjen e institucioneve universitare joshtetërore në Greqi është planifikuar të paraqitet në Parlament në ditët në vijim.

Konferenca e rektorëve theksoi se krijimi i universiteteve private do të ndikojë ndjeshëm në funksionimin e universiteteve publike.

 

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme