Blinken bisedime me Mitsotakis përpara turneut në Lindjen e Mesme

Greqi | 3 vite më parë

Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken ( Antony Blinken ) u ndal të shtunën në Greqi për bisedime me kryeministrin Kiriakos Micotaqis ( Kyriakos Mitsotakis) përpara një turneu në Lindjen e Mesme, në një përpjekje per të ndërmjetësuar në luftën e Gazës dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm.

“Përveç tensioneve në rajonin e afërt, politikanët kishin planifikuar të diskutonin për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”, njoftuan transmetuesit grekë.

Athina kishte kërkuar të blinte aeroplanë luftarakë F-35 të prodhimit amerikan në vitin 2022.

SHBA-ja mban një bazë të madhe ushtarake në Souda, Kretë, dhe gjithashtu ka baza te tjera ushtarake në Greqinë qendrore dhe veriore, të cilat janë zgjeruar së fundmi.

“Të dy vendet ishin të bashkuar në përballjen e disa prej sfidave më të mëdha deri më sot”, tha Blinken përpara bisedimeve në ishullin mesdhetar të Kretës.

Kryediplomati amerikan tha se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve janë të rëndësishme dhe nuk kanë qenë kurrë më të mira në 30 vitet e fundit.

Mitsotakis tha se është e rëndësishme që aleatët të qëndrojnë së bashku, që paqja dhe siguria të rikthehen në rajon.

Blinken mbërriti në Kretë pas një vizite në Turqinë fqinje, ku u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrin e Jashtëm,  Hakan Fidan.

Pas vizitës së tij në Greqi, ai do të nisë një turne të zgjeruar në Lindjen e Mesme, i katërti në rajon në katër muaj, me ndalesa të planifikuara në Jordani, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite si dhe Izrael, Bregu Perëndimor dhe Egjipti.

“Gjatë udhëtimit, Blinken kërkon të diskutojë hapat konkretë se si aktorët në rajon mund të përdorin ndikimin e tyre për të shmangur një përshkallëzim të luftës në Gaza”, tha zyra e tij.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme