Greqia dhe Bullgaria forcojnë bashkëpunimin për energjinë dhe transportin

Greqia dhe Bullgaria kanë rënë dakord të forcojnë dhe të shpejtojnë bashkëpunimin, veçanërisht në fushat e energjisë dhe transportit, në bazë të Korridorit Jug-Veri për gaz natyror.
Kryeministri grek Kiriakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis) dhe ai bullgar, Nikolai Denkov, u takuan të enjten në Athinë dhe i vijuan diskutimet edhe në një drekë pune.
Gjatë drekës, të dy udhëheqësit rishikuan marrëdhëniet bilaterale dhe përparimin e bashkëpunimit në një seri sektorësh me interes të përbashkët, veçanërisht lidhjen greko-nullgare të rrjeteve rrugore dhe hekurudhore.
Duhet theksuar se çështjet me interes të përbashkët ishin diskutuar më parë në nivel të lartë në tetor 2023, gjatë Samitit Tripalësh Greqi–Bullgari–Rumani dhe para nënshkrimit të një deklarate nga drejtuesit e të tria vendeve.
Para fillimit të takimit, Micotakisi uroi homologun bullgar për përfshirjen e vendit të tij në Zonën Shengen dhe nënvizoi se ai pret me padurim aplikimin e plotë të Shengenit “përfshirë kufijtë tokësorë, të cilat janë natyrisht kaq të rëndësishme për marrëdhëniet dhe tregtinë tonë bilaterale.”
Nga ana e tij, kryeministri bullgar vlerësoi “marrëdhëniet e shkëlqyera strategjike në disa sektorë – transportin, energjinë dhe industrinë e mbrojtjes” midis dy vendeve, dhe foli për domosdoshmërinë e përshpejtimit të disa prej projekteve në muajt e ardhshëm. AMNA
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




