Kryeministri grek zotohet se do të bëjë gjithçka për t’iu ndihmuar të prekurve nga përmbytjet

Greqi | 3 vite më parë

Kryeministri grek, Kiriakos Micotakis ( Kyriakos Mitsotakis ) është zotuar të premten se Qeveria e tij do të bëjë “gjithçka që mund të bëjë njeriu” për t’i ndihmuar rajonet e goditura nga përmbytjet, teksa e ka parë nga afër shkatërrimin në Karditsa, njofton Radio Evropa e Lirë.

Një stuhi e fuqishme e ka goditur qendrën e Greqisë këtë javë, e përcjellë me shi të rrëmbyeshëm.

Greqia është përballur me këtë situatë teksa ka qenë duke tentuar të rimëkëmbet nga sezoni i zjarreve të verës.

Meteorologët kanë thënë se sasia e reshjeve këto ditë ka qenë e pashembullt, mbi 700 litra për metër katrorë në më pak se 24 orë.

Shkalla e shkatërrimit besohet se ende nuk është duke u parë saktë.

“E kuptoj zemërimin”, ka thënë Micotakis, duke iu referuar kritikave që Qeveria ka dështuar që t’i parashikojë vërshimet dhe të përgjigjet më shpejt.

Ai ka thënë se prioritet është shpëtimi i të gjithë atyre që janë në rrezik, sidomos atyre që jetojnë në fshatra, të cilat janë përmbytur nga uji që disa ditë.

Pronarët e shtëpive dhe bizneseve të shkatërruara duhet të marrin ndihmë sa më shpejt që është e mundshme, ka thënë mes tjerash kryeministri grek.

“Ne do t’i gjejmë paratë, qofshin të shtetit apo fonde evropiane”.

Të enjten, zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Katerina Barli ( Katarina Barley ) ka bërë thirrje për ofrim të ndihmës për vendet e prekura nga stuhia e fundit. 

Sipas Radios Evropa e Lirë
  
/ rtsh.al / 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme