Përmbytjet në Greqi/ Opozita akuzon qeverinë pse nuk i shmangi ato

Shirat me furtunë në fushën e Thesalisë po rezultojnë tragjike për Greqinë, me disa viktima dhe fshatra të tërë të pushtuar nga uji.
Bilanci i jetëve të humbura u ngjit në katër ditën e enjte, pasi forcat e kërkim-shpëtimit gjetën një fermer 49-vjeçar pa shenja jete, ndërsa gjashtë persona janë shpallur të zhdukur në rajon.
Banorët e zonave të prekura kanë ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e situatës nga qeveria dhe pse ata që banonin aty nuk u evakuan më parë.
“Të gjithë e dinë se kur ka përmbytje në Farsala, pas 24 deri 36 orësh do të vijnë edhe në Kardicë dhe Trikala,” thonë banorët e cituar nga e përditshmja “Kathimerini”.
Zemërimin e tyre e plotësuan gjatë ditës edhe partitë politike në opozitë, duke e fokusuar kundërvënien e tyre te Ministria për Mbrojtjen Civile.
Partia SYRIZA tha se nuk janë marrë masat për “planifikimin dhe parandalimin e përmbytjeve dhe të zjarreve në pyje”, ndërkohë që nga PASOK-u, kryetari Nikos Andrulaqis (Androulakis) deklaroi se mungesa e një kuadri ligjor për parandalimin e katastrofave natyrore e ka bërë Greqinë “më të rrezikuar” ndaj ndryshimeve klimatike.
Partia “Zgjidhja Greke” akuzoi kryeministrin Kirjakos Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis) për paaftësi dhe bëri thirrje për dorëheqjen e tij.
Shumë zona të Thesalisë janë të zhytura nën ujin 2–3 metra të thellë, edhe pse ai po fillon të tërhiqet.
Përveçse në zonat fushore, dëme të konsiderueshme infrastrukturore janë raportuar edhe në trevat më malore. /Kathimerini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




