Greqi/ Burgoset shqiptari që “arrestoi” 13 emigrantë për zjarrvënie

Greqi | 3 vite më parë

Biznesmeni me origjinë shqiptare, Apostolos (Astrit) Tota, është dënuar me burg për ngjarjen e pazakontë të 22 gushtit, kur ai kapi dhe mbylli në një rimorkio 13 emigrantë për zjarrvënie.

Gjykata e Aleksandrupolit, qyteti grek ku edhe ndodhi ngjarja, vendosi që 45-vjeçari Tota dhe dy shtetas grekë të dërgohen në burg për aktin.

Ndaj të pandehurve rëndonte më herët masa e “arrestit në shtëpi”, e cila ishte kërkuar nga hetuesi i çështjes, por pa u mbështetur nga prokurori.

Tota e dokumentoi ngjarjen me anë të një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, megjithatë hetimet nxorën se ai kishte kryer edhe vepra të tjera penale, siç janë mbajtja e armëve pa leje dhe shkelja e të drejtave të njeriut apo dhuna ndaj shtetasve mbi baza racore.

Ndërkohë 13 emigrantët janë liruar nga çdo faj, edhe për zjarrvënien e pretenduar nga shqiptari dhe dy bashkëqytetarët grekë.

Më 22 gusht, Tota pretendoi se nga biznesi i tij në qytetin e Aleksandrupolit kishte parë grupin e emigrantëve afër një objekti teksa përpiqeshin t’i vinin flakën me anë të një tullumbaceje të mbushur me benzinë.

45-vjeçari tha se i kishte izoluar emigrantët për një kohë të shkurtër deri kur të vinte policia dhe nuk kishte vepruar për arsye raciste.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme