Greqi/ 79 persona të arrestuar për zjarrvënie, ministri: Njerëz të poshtër!

Greqia i ka quajtur “njerëz të poshtër” personat e arrestuar ditët e fundit për zjarrvënie, teksa vendi lufton me flakët që po e shkrumbojnë.
Ministri i Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias, tha se zjarrvënësit tentuan të krijojnë sërish vatra të reja në malin Parnita, në veriperëndim të Athinës.
Qindra zjarret në gjithë Greqinë kanë vrarë të paktën 20 njerëz këtë javë dhe ka arritur në 79 numri i të arrestuarve si të dyshuar për to.
“Po kryeni një krim kundër vendit,” tha Kikilias.
“Zjarrvënësit e poshtër po ndezin zjarre që rrezikojnë pyjet, pronën dhe, mbi të gjitha, jetën e njerëzve. Nuk keni për të shpëtuar. Do t’ju gjejmë, do të mbani përgjegjësi,” shtoi ministri Kikilias.
Zjarret gjatë verës janë një fenomen i përsëritur vitet e fundit dhe shkencëtarët e gjejnë arsyen te zhvillimet ekstreme klimatike, por edhe te menaxhimi jo i duhur i bimësisë së thatë.
Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, ka deklaruar se nga 140 arrestime të lidhura me zjarret, 79 kanë të bëjnë me zjarrvënien.
Në Greqi raportohen qindra vatra zjarri aktive.
Më i rrezikshmi është bërë vatra në qytetin portual të Aleksandropulit, ndërkohë që flakët në malin Parnitha afër Athinës po rrezikon parkun kombëtar.
Gjatë kësaj u gjetën në verilindje të Greqisë edhe trupat e 19 personave, mes tyre edhe fëmijë, të cilët mendohet të jenë emigrantë. /BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




