Zjarret në Greqi, situata vijon të jetë e rëndë dhe e rrezikshme

Forcat zjarrfikëse po përpiqen të vënën nën kontroll zjarrin në malin Parnitha, më i larti i maleve në afërsi të kryeqytetit Athinë, ku erërat e forta po krijojnë një situatë të vështirë.
Në zonë janë angazhuar rreth 260 forca zjarrfikës, 77 automjete, 6 avionë dhe 7 helikopterë.
Banorët e Athinës janë ata që po përballen me tymin dhe hirin e shkaktuar nga zjarri.
Në Kelafonia, ndërkohë, një zjarrfikës sezonal është vënë nën akuzë për zjarrvënie të qëllimshme, pasi u arrestua pas një hetimi të ndërmarrë nga drejtoria e krimeve të zjarrvënies për zjarrin që filloi në zonën Aghia Irini.
I pandehuri e ka pranuar krimin dhe ka bërë të ditur se është përgjegjës për pesë zjarre të tjera gjatë viteve të shkuara.
Që të premten e shkuar, në Greqi janë shënuar 355 vatra zjarri, përfshirë 209 në 48 orët e fundit.
Ministri i Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias, tha se ekipet e angazhuara po ndërmarrin veprime mbinjerëzore për t’i vënë nën kontroll.
Zjarret në Greqi janë të zakonshme gjatë verës, por këtë vit situata ka qenë e rëndë për shkak të të nxehtit ekstrem dhe erërave për të cilat shkencëtarët thonë se kanë lidhje me ndryshimet klimatike.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




