Greqia forcon kufizimet për të pavaksinuarit

Personat e pavaksinuar në Greqi do të lejohen të hyjnë në zyrat e qeverisjes vendore, banka, dyqane dhe parukeri vetëm me një test negativ për COVID-19, duke filluar nga e shtuna.
Gjithashtu, ata do të duhet të paraqesin një test negativ në punë dy herë në javë dhe me shpenzimet e tyre.
“Dyqanet thelbësore, si supermarketet dhe farmacitë, do të mbeten të aksesueshme pa teste”, tha ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevris.
Sipas ministrit, nga dita e premte e tutje të gjithë qytetarët e moshës 18 vjeç e lart do të mund të marrin një vaksinë përforcuese.
Plevris shpjegoi masat e reja duke thënë se qytetarët e pavaksinuar janë më të ndjeshëm ndaj infeksionit me COVID-19 dhe për këtë arsye duhet të bëjnë më shumë kujdes.
“Nuk është e mundur të vendoset sërish një bllokim mbarëkombëtar”, theksoi ai.
Në Greqi, numri i infeksioneve të reja ditore është rritur ndjeshëm kohët e fundit.
Të martën u raportuan 6 700 raste të reja, një rekord që nga fillimi i pandemisë.
Pothuajse 90 për qind e shtretërve të kujdesit intensiv COVID-19 janë të zëna, me 85 për qind të këtyre pacientëve të pavaksinuar./ATSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




