Qindra qytetarë protestojnë në Athinë kundër ligjit për martesat mes së njëjtës gjini

Qindra protestues dolën të dielën në sheshin qendror të Athinës për të kundërshtuar martesat mes së njëjtës gjini, që një projektligj i ri do t’i bëjë të lejueshme.
Nëse votohet në ditët në vijim, Greqia do të ishte vendi i parë me shumicë besimtarësh ortodoksë që legalizon këto martesa.
Projektligji është ideuar nga qeveria konservatore, por duhet të marrë edhe votat e partive opozitare të qendrës dhe të majta. Disa deputetë të këtyre grupimeve kanë dalë kundër.
Në protestën e fundjavës, organizatorët dhe grupet fetare e quajtën ligjin e ardhshëm një kërcënim për familjen tradicionale. Shumë prej protestuesve bënin thirrje “larg duart nga fëmijët tanë”.
“Greqia është shtet ortodoks i krishterë dhe tradita jonë nuk e lejon këtë. Ne njohim dhe respektojmë vetëm një lloj martese: martesën ortodokse. As në kushtetutë nuk pranohet, ndaj ky ligj përveçse është antikushtetues, shkon edhe kundër besimit tonë te Krishti,” tha Dimitris Nacios (o. Natsios), kryetari i partisë ultradjathtiste fetare “Niki”.
Partia e themeluar në vitin 2019 ka 10 deputetë në kuvendin me 300 karrige të Greqisë.
Shumë çifte të së njëjtës gjini në Greqi aktualisht krijojnë familje pas celebrimit në një vend ku lejohen martesat homoseksuale. Kontrata e bashkëjetesës për çiftet e të njëjtit seks janë ligjëruar që në dhjetor 2015. /AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




