Opozitarët e Sirizës zgjedhin kryetarin e ri jashtë politikës, Stefanos Kaselakis

Greqi | 3 vite më parë

Partia greke opozitare, Siriza (o. SYRIZA), ka zgjedhur për kryetar të saj 35-vjeçarin Stefanos Kaselakis (o. Kasselakis).

Kaselakisi mundi në garë ish-deputeten dhe ish-ministren e Punës, Efi Acioglou (o Effie Achtsioglou), pasi kishte eliminuar tre kandidatë më parë.

35-vjeçari, rezident amerikan në Majami dhe financier në “Goldman Sachs”, nuk ishte i njohur për publikun grek deri kur u publikua lista finale e kandidatëve.

Ai pason në parti Aleksis Ciprasin (o. Alexis Tsipras), i cili u detyrua të largohet nga kreu kur partia e tij e majtë humbi zgjedhjet e 2019-ës përballë Demokracisë së Re.

“Shijoji këto ditë pa u penduar, pasi kushdo që hyn në politikë duhet ta dijë se kënaqësia nuk është me tepri. Shoqëria greke është mbërthyer nga sfida të mëdha. Me unitet dhe shoqëri, më kujtohet një frazë që ke thënë – mes shokëve edhe i dyti konsiderohet i pari,” tha Ciprasi.

Edhe kryeministri grek, Kirjakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis) përgëzoi kundërshtarin e tij të ri.

“Angazhimi ynë do të mbetet politik dhe presim të njohim pozitat e z. Kaselakis, duke shpresuar që do i kthejë shpinën sjelljeve toksike,” u shpreh Micotakisi.

Ekspertët politikë mendojnë se duke mos pasur prezencë në arenën politike, Kaselakisi do e ketë të vështirë betejën me kryeministrin Micotakis. Kryetari i ri i Sirizës ka filluar të dalë shpesh në publik, në takime me qytetarë, po poston fotografi dhe po tenton të tërheqë votues nëpërmjet rrjetit social TikTok.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme