“Lëvizja e Peshqirëve”/ Zunë plazhet dhe rritën çmimet e çadrave, ndërhyn qeveria greke

Greqi | 3 vite më parë

Protestat qytetare kundër subjekteve private që abuzojnë me hapësirat e plazhit në ishullin Paros kanë detyruar qeverinë greke të planifikojë masa në interes të publikut.

Ministri i Ekonomisë, Kostis Hatzidakis, deklaroi të mërkurën se do të rriten inspektimet për të siguruar që bizneset të respektojnë rregullat për lokale dhe restorantet e plazhit, dhe nuk bllokojnë qytetarët për të pushuar në hapësirat falas.

Prej javësh mediet greke raportojnë për rritje të çmimit të shezlongëve e çadrave dhe për zënie të zonave për pushim.

Autoritetet e Parosit po përpilojnë udhëzime të reja në formën e ndëshkimit financiar për bizneset që kanë abuzuar me lejet e dhëna.

Të mërkurën, tre subjekte u detyruan të japin shpjegime për zënien e mbi 2,500 metrave katrorë bregdet në shkelje të kontratës.

Javë më parë, qindra banorë u përhapën në plazhin e njohur Santa Maria të ishullit grek duke kërkuar të ngulnin çadrat e veta dhe të mos paguanin qiranë. Veprimi i tyre çoi në krijimin e Lëvizjes Qytetare të Parosit për Plazhe Falas.

Ligji grek parashikon që subjektet të cilat marrin me qira zona plazhi duhet të lënë 50 për qind të hapësirës të lirë për këdo që nuk dëshiron të paguajë për shërbime shtesë. Ato duhet gjithashtu të respektojnë një distancë prej 100 metrash me subjektet e tjera dhe të mos luajnë muzikë me zë më të lartë se 50 decibel, por Lëvizja ankohet se bizneset rrallëherë u përmbahen këtyre kritereve.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme