Siguria ushqimore/ Zusi në “Jetë Shqiptare”: Problem informaliteti, nuk dihet origjina e produktit

Pavarësisht përmirësimeve të bëra për sigurinë ushqimore, sërish mbetet shumë për t’u bërë. Kështu u shpreh në emisionin “jetë Shqiptare” Alban Zusi, Kreu i Shoqatës së Eksportuesve, teksa identifikoi informalitetin dhe sistemin e ndarë të sigurisë ushqimore si dy problemet kryesore.
Sipas Zusit, informaliteti është shumë i lartë dhe buron për shkak të sistemit fiskal. Teksa solli si shembull thertoret, Zusi tha se produktet e mishit nuk shoqërohen me etiketë që tregon origjinën e tij.
“Sado të bëjmë, sërish kemi shumë punë për të bërë për sigurinë ushqimore. Siguria ka shumë faktorë që impaktojnë. Pengesa e parë është sistemi fiskal i produkteve bujqësore. Sot të shesësh në mënyrë formale dhe ushqime të kontrolluara duhet ta fusësh në sistem kontrolli. Por kjo do të thotë që fermeri do paguhet 20 herë më pak. Ne kemi bërë një vëzhgim dhe kemi informalitet të lartë që buron nga sistemi fiskal. Kur u rregullua në 2014-2015, efekti ishte i magjishëm. Kur kjo u prish, filloi sërish informaliteti dhe është shumë e vështirë të luftosh”, tha Zusi.
Në lidhje me sistemin e ndarë të sigurisë, ai tha se nuk mundet që veterinaria të bëjë kontrollin në një thertore, por licencën ta japë AKU.
“Ajo që krijon sërish pasiguri ushqimore është sistemi i ndarë i sigurisë ushqimore. Nuk mund të kemi edhe veterinari edhe AKU. Në një thertore, kontrollin e bën veterinaria, licencën e jep AKU. Inspektorët e veterinarisë shprehen se s’kanë ç’i bëjnë një thertoreje sepse licencën e jep AKU. Kjo sjellë probleme të sigurisë ushqimore në sistem. Siguria ushqimore fillon te identifikimi produktit bazë. Nëse kjo nuk ndodh nuk kemi as gjurmueshmëri asgjë”, theksoi Zusi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




