Homazh për mjeshtrin Bujar Lako, një jetë në shërbim të artit
Në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedies, “Marubi”, u mbajt një aktivitet përkujtimor kushtuar një prej figurave më të shquara të artit skenik dhe kinematografik shqiptar, Bujar Lako.
Regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj foli për njohjen e hershme me Lakon. Shanaj theksoi karakteristikat e veçanta të personalitetit të mikut të tij, të cilat e bënin të papërsëritshëm në rolet që interpretonte. Ndërsa Timo Flloko vlerësoi thellësinë emocionale dhe fuqinë shprehëse që Bujar Lako i jepte çdo personazhi.
“Ishte i bindur që do të bëhej aktor dhe u bë. Në çdo rol ai kishte një pozicion artisti sqimatar,” tha z. Shanaj.
“Bujari e filloi me një rol të vogël. Dhe i erdhi momenti që bëri Martin Krekën tek ‘Përballimi’, me Viktor Gjikën. Një zbulim. Ishte prova e tij e parë serioze, profesionale në kinema,” tregoi z. Flloko.
Ndërsa Kujtim Çashku rrëfeu bashkëpunimet me aktorin e ndjerë. Ai e vlerësoi Lakon si një aktor i cili i jepte ngjyra të ndryshme secilit interpretim.
“Te Bujari, sytë dhe mustaqet në portretin e tij janë të pandryshuara thuajse në gjithë galerinë e karaktereve të mishëruara prej tij. Na lind pyetja: përse një aktor e mban të pandryshuar sigmën?” u shpreh z. Çashku.
Nga “Përballimi” te “Ballë për ballë”, e deri te “Kolonel Bunker”, Lakoja solli në ekran figura komplekse me një thellësi dhe intensitet të lartë.
Interpretimet e tij mbeten gurë themeli të kinemasë shqiptare, dëshmi e një talenti që i dha shpirt çdo personazhi, si edhe një burim frymëzimi për brezin e ri.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




