Një vit pa Kadarenë, shtëpia e tij e lindjes prej më të vizituarave
Edhe pse Ismail Kadare nuk jeton më fizikisht mes nesh, ai kujtohet përmes veprave të tij të shumta, shtëpisë-muze, e cila vizitohet nga turistë nga e gjithë bota, por edhe vendas, të cilët e kujtojnë me krenari veprën e këtij autori të madh nga qyteti i Gjirokastrës.
Një vit pas ndarjes nga jeta, shkrimtari shqiptar Kadare, më i shquar brenda e jashtë kufijve të vendit, është përkujtuar pikërisht në shtëpinë e tij muze në një aktivitet të organizuar me nxënës të shkollave, të cilët kanë recituar poezi të korifeut të letrave shqipe.
“Ndarja nga jeta e gjeniut të letrave na forcon bindjen se ai ishte, është dhe do të mbetet në çdo faqe libri, në çdo kohë do të shkëlqejë përmes botimeve që la si pasurinë më të vyer të një kombi. Me veprën e tij, Kadareja i dha zë një kombi të vogël në një botë të madhe. Ai mbetet një ndriçues, pasi Shqipërisë i la një pasaportë shumë të rëndësishme, atë të kulturës. Sot në përvjetorin e tij ne nuk e kujtojmë atë me trishtim, por me shumë mirënjohje. E falënderojmë gjeniun e letrave shqipe, pasi Gjirokastrën, qytetin më të bukur në zonën e jugut, e bëri kryelartë në arenën ndërkombëtare,” thotë Befjola Braho, cicerone e Muzeut “Kadare” në Gjirokastër.
Muzeu Kadare mbetet një ndër pikat më kryesore për turistët, ku në pesë muajt e parë të vitit është vizituar nga rreth 3.500 vizitorë vendas e të huaj.
Gazetare: Ledja Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




