Jonid Jorgji në krye të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë: Kinemaja shqiptare, pasqyra e shpirtit tonë

Jonid Jorgji është kryetari i ri i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), ka njoftuar ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Jorgji është një figurë e njohur në komunitet për përkushtimin ndaj zhvillimit të industrisë së filmit dhe mbështetjes së artistëve të rinj në rolin e tij si president i Shoqatës së Kineastëve të Rinj, theksoi ministri Gonxhja në një njoftim për shtyp, duke i uruar atij suksese.
“Ky emërim vjen në një moment të rëndësishëm për zhvillimin e industrisë kreative në vend, në kuadër të procesit gjithëpërfshirës të nisur nga MEKI për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Ekonominë Kreative, në bashkëpunim me aktorë kombëtarë e ndërkombëtarë. Në fokus të këtij procesi janë rishikimi i kuadrit ligjor për sektorin kinematografik dhe audiovizual, rritja e mbështetjes publike për krijimtarinë vendase, krijimi i mekanizmave lehtësues për zhvillimin e tregut dhe nxitjen e investimeve në fushën e prodhimit audiovizual,” shkroi z. Gonxhja.
I diplomuar në fushën e Filmit dhe me mbi një dekadë përvojë në medie, z. Jorgji në vitin 2016 themeloi një kompani prodhimi audioviziv, EJF Production, duke realizuar filma, dokumentarë, reklama dhe projekte multimediale. Nga viti 2022 ai ka drejtuar Agjencinë e Industrive Kreative pranë Bashkisë së Tiranës, duke mbikëqyrur projekte kyçe, si Qendra e Artit Agimi, Kinemaja Maks Velo, Tirana Film Office, MicroFolie Tirana dhe Rezidenca Nomade e Artit.
Ai falënderoi ministrin Gonxhja për mundësinë dhe siguroi se do i përmbahet rolit për të cilin e krijua Qendra Kombëtare e Filmit: të inkurajojë, financojë dhe promovojë prodhimin kinematografik në Shqipëri.
“Me mirënjohje të thellë, dua të falënderoj Ministrin Blendi Gonxhja dhe Kryeministrin Edi Rama që më kanë besuar drejtimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Ky është një nder dhe një përgjegjësi që e pranoj me përulësi dhe përkushtim të plotë ndaj artit dhe komunitetit tonë krijues. Së bashku do të punojmë për të mbështetur, zhvilluar dhe promovuar kinemanë shqiptare – si pasqyrë e shpirtit tonë, si zë në skenën ndërkombëtare dhe gjithashtu si një potencial të rëndësishëm për ekonominë e vendit,” shkroi z. Jorgji në rrjetin Facebook.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




