Greqia pezullon përpunimin e kërkesave për azil për të ndalur valën e emigrantëve nga Libia
Greqia nisi këtë të premte zbatimin e planit për pezullimin tremujor të përpunimit të kërkesave për azil nga emigrantët që mbërrijnë me anije nga Afrika e Veriut.
Legjislacioni i emergjencës u miratua nga parlamenti grek me një shumicë prej 177 nga 293 ligjvënësish dhe u lejon autoriteteve të ndalojnë azilkërkuesit në kampe deri në 18 muaj.
Mbështetja për projektligjin erdhi kryesisht nga deputetët e qeverisë konservatore dhe ligjvënësit e ekstremit të djathtë.
“Kemi marrë vendimin e vështirë, por absolutisht të nevojshëm, për të pezulluar përkohësisht procesin e shqyrtimit të kërkesave për azil për ata që mbërrijnë përmes detit nga vendet e Afrikës së Veriut,” tha të premten kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis për tabloidin gjerman “Bild”.
“Ky vendim u dërgon një mesazh të qartë rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore, duke mos lënë vend për keqinterpretime. Greqia nuk është një rrugë e hapur tranziti. Udhëtimi është i rrezikshëm, rezultati i pasigurt dhe paratë e paguara kontrabandistëve në fund të fundit shkojnë dëm,” u shpreh ai.
Ndërsa më herët gjatë javës tha para parlamentit grek se çdo emigrant që hyn ilegalisht do të ndalohet dhe arrestohet, duke shtuar se situata aktuale kërkon masa të jashtëzakonshme.
Legjislacioni u kritikua nga grupet e të drejtave të njeriut si shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe të BE-së, dhe partitë opozitare e kanë quajtur atë antikushtetues.
Ministria e Migracionit në Greqi tha se mbi 14 mijë emigrantë nga Libia kanë mbërritur në shtetin helen këtë vit, përfshirë mbi 2 mijë vetëm gjatë ditëve të fundit.
Fluksi migrator ka goditur kryesisht Kretën, një nga destinacionet kryesore turistike në Greqi, duke shkaktuar zemërim mes autoriteteve lokale dhe operatorëve të turizmit.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




