“Xanaxi”- trendi mes të rinjve për qetësim pas drogës, psikiatrja: “Po rrezikojnë jetën”

Shëndet | 1 vit më parë

Përdorimi pa kriter i medikamenteve të forta që trajtojnë çrregullimet ankthit si rasti i Xanax-it, po përhapet me shpejtësi tek të rinjtë dhe adoleshentët. Mjekët priskiatër referojnë se kërkesa për këto medikamente vjen kryesisht nga përdoruesit e lëndëve narkotike të cilët jo në pak raste kanë qenë edhe të dhunshme.

“Ka pasur tendenca kohët e fundit, madje edhe të dhunshme, për të kërkuar nga mjekët psikiatër lëshimin e recetave të Xanax-it, apo medikamente të Benzodiazepinave. Në disa raste na është dashur të kërkojmë ndihmën e policisë pasi ata bëhen të dhunshëm, të frikshëm si për komunitetin ashtu edhe për ne mjekët. Kjo ndodh kryesisht në rastet kur nivelet e ankthit tek ata janë shumë të larta për shkak të mospërdorimit të substancave narkotike dhe në mungesë kërkojnë të qetësohen me këto medikamente të cilat përbëjnë një rrezik të lartë për të krijuar varësi. Që të përdorësh Benzodiazepinë pa kriter, në sasi të mëdha dhe në kohëzgjatje , është rrezik shumë i madh pasi kështu krijohet një varësi e re nga një tjetër lloj droge”, u shpreh Valentina Asabella , psikiatre në qendrën komunitare të shëndetit mendor Nr.3.

Duke qenë barna që lëshohen vetëm me recetë, nevoja për to i ka detyruar të rinjtë përdorues të  gjejnë mënyra për të manipuluar recetat përmes Inteligjencës artificiale

“Mua më janë referuar raste që këto medikamente janë marrë edhe në farmaci. Nuk ka informacion se ku konkretisht. Nëse ata përdorin këto metoda që gjenerojnë receta përmes Inteligjencës artificiale  , apo përdorin mënyra të tjera, kjo mund të ndalohet, sepse recetat tona kanë protokoll dhe farmacitë janë të orientuara se si mjekët psikiatër i përshkruajnë këto medikamente”, tha psikiatria.

Psikiatria e qendrës komunitare të shëndetit mendor nr.3 në Tiranë  thotë se përdorimi pa kriter i barnave të tilla shkakton varësi ndërsa rreziqet shëndetësore janë edhe fizike.

“Pasojat janë shumë të rënda, Ata fillojnë më doza të vogla por më pas organizmi kërkon që këto doza të rriten. Kjo përbën rrezik qoftë fizik, qoftë mendor. Por ajo që mund të shkaktojë probleme madhore, kryesisht në zemër, mund të shkojë deri në arrest kardiak. Përdorimi  i këtyre substancave mund të japë problematika të tjera në sistemin nervor. Pra pasojat janë shumë më të rënda se sa do të përjetonin nëse ata nuk do t’i përdornin këto medikamente”, tha ajo.

Mjekja apelon për mbështetje më aktive të të rinjve nga familjet të cilët çelësi i për kapërcimin e situatave.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme