Temperaturat ndikojnë te të sëmurët me zemër. Çdo ditë 30 persona në repartin e kardiologjisë në Gjirokastër

Shëndet | 1 vit më parë

Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të shumë qytetarëve, veçanërisht atyre me probleme kardiake.

Në repartin e kardiologjisë pranë Spitalit Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, çdo ditë paraqiten mesatarisht rreth 30 persona që ankohen për shqetësime të zemrës.

Kardiologia Jona Leka thotë se stina e verës është një periudhë veçanërisht e ndjeshme për pacientët me sëmundje kardiovaskulare, ndaj kujdesi duhet të jetë i shtuar.

“Rastet kanë qenë serioze. Më në fokus kanë qenë pacientët të cilët janë mbi 55–60 vjeç dhe kanë kaluar problematika shëndetësore të mëparshme, sidomos të lidhura me enët e gjakut të zemrës, me zemrën vetë apo me enët e gjakut të trupit,” thotë Dr. Leka.

Kardiologia këshillon qytetarët që të mos neglizhojnë asnjë shqetësim që lidhet me frymëmarrjen, ndjesinë e rëndesës në kraharor apo lodhje të pazakontë.

“Grupmosha më në fokus duhet të ruhet në mënyrë specifike nga orët e nxehta të ditës, kryesisht 10:00 e paradites deri në orën 18–19:00 pasdite, por natyrisht në fokus duhet të jetë në çdo moment, për çdo ankesë të shfaqur, si dhimbje gjoksi, mbajtje fryme, luhatje të tensionit, si në vlera rënëse, edhe rritëse, apo ankesa të tjera të dyshimta, pa lidhje me zemrën,” shton Dr. Leka.

Përveç rasteve të planifikuara, janë rritur edhe urgjencat që lidhen me tensionin e ulët, çrregullime të ritmit të zemrës dhe probleme me qarkullimin e gjakut, të shkaktuara nga temperaturat e larta dhe mungesa e hidratimit.

Bluzat e bardha vijojnë thirrjen për kujdes dhe ndërgjegjësim në këto ditë të nxehta, duke kujtuar se parandalimi është gjithmonë masa më e mirë për shëndetin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme