Festa e birrës në Korçë, rezervohen 80% e kapaciteteve të hoteleve e bujtinave 

Aktualitet | 1 vit më parë

Rreth 80 për qind e kapaciteteve hoteliere janë rezervuar në qytetin e Korçës për javën e ardhshme, në të cilën zhvillohet festa e birrës.

Kjo festë e madhe verore e organizuar nga Bashkia e Korçës edhe këtë vit pritet të sjellë një numër të madh surprizash e emra të njohur të muzikës në të pesta netët e zhvillimit të saj, ndaj edhe vizitorët kanë nxituar të rezervojnë në bujtinat e hotelet e Korçës për të mos e humbur argëtimin.

“Për sa i përket javës së festës, që fillon nga data 10 dhe deri në fundjavë, në 17 [gusht], jemi diku në 75–80 për qind të kapacitetit të hotelit. Rezervimet janë tre-katërditore,” thotë operatorja turistike Maria Vani.

Pjesa më e madhe e atyre që kanë rezervuar kanë qenë vendas, por nuk kanë munguar edhe të huajt, të cilët kanë zgjedhur pikërisht javën e ardhshme për të ardhur në qytetin e Korçës e për të shijuar festën e birrës.

Sipas operatorëve turistikë janë të shumtë ata që rikthehen çdo vit në Korçë në javën e kësaj feste.

“Fati i mirë është ne klientët i kemi në vazhdim, që nga fillimet e para të hotelit,” thotë znj. Vani.

Burime zyrtare nga Bashkia e Korçës bëjnë të ditur se rezervimet në hotele e bujtina janë më të shumta për netët e fundit të festës, kur ashtu si çdo vit shënohet edhe kulmi i argëtimit e muzikës së mirë, ndërsa pritet që deri në fundjavë të ketë edhe më shumë rezervime duke arritur në limitin e kapaciteteve hoteliere.

Gazetare: K. Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme