Beteja me zjarret, mbërrijnë 2 helikopterë “Black Hawk” nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Avioni kroat ndërhyn në vatrën në Rrogozhinë

Aktualitet | 1 vit më parë

Vendi ynë vijon të përballet me vatrat e zjarrit, ndërsa temperaturat shënojnë një rritje të ndejshme duke rritur edhe më shumë rrezikziun për aktivizimin e vatrave të reja.

Për shuarjen e zjarreve ka ardhur ndihma edhe nga forcat ndërkombëtare. Dy helikopterët “Black Hawk” të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë mbërritur sot në Bazën Ajrore të Kuçovës, duke u bashkuar me ekipet shqiptare për të përballuar situatën e zjarreve që ka përshirë vendin.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral-lejtnant Arben Kingji, ka pritur në bazë ekuipazhet dhe stafin e helikopterëve, të cilët do të punojnë ngushtë me forcat shqiptare për të neutralizuar vatrat e zjarrit.

Gjithashtu në operacionet e fikjes së zjarreve është angazhuar edhe një avion kroat Canadair, i cili ka nisur veprimet për izolimin e vatrës të zjarrit në Synej, në Rrogozhinë, që prej orëve të para të mëngjesit.

Gjithashtu edhe helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj kroate që operojnë nga Baza e Kuçovës janë nisur drejt Gramshit. Një vatër zjarri me përmasa të mëdha është shfaqur në orët e vona të së dielës në afërsi të fshatit Sojnik, ku është përfshirë një masiv pyjor idendur. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është pothuajse e pamundur për shkak të terrenit të vështirë. Flakët favorizohen nga era duke rritur rrezikun për përhapje të mëtejshme drejt zonave të banuara.

Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme vatrat e zjarrit në Finiq dhe Poliçan janë përhapur drejt zonave të banuara, duke u favorizuar nga era, ndërsa gjatë mëngjesit të sotëm situata paraqitet më e qetë. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren për të vënën në kontroll flakët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme