Një jetë pas ekranit – Luan Zylyftari, 50 vite teknik riparues i televizorëve

Aktualitet | 1 vit më parë

Televizori ka qenë për vite një dritare drejt botës për shumë familje.

Pas tij qëndron puna e palodhur e mjeshtërve si Luan Zylyftari, që prej dekadash merret me riparimin e tyre.

“Fillimi është pak i vështirë, sa ke dalë nga bankat e shkollës. Ndryshe është puna në kabinete, ndryshe është puna që në laborator, se defektet janë nga më të ndryshmet. Kurse sot janë 50 vjet punë, nuk të bën përshtypje. Ke eksperiencën,” thotë tekniku.

Teknologjia ka ndryshuar. Mënyrat e punës dhe pajisjet janë përshtatur me kohën.

“Ne e kemi nisur me llambat diode, pentode e të tjera. Doli transistori, qarqet e integruara… Teknologjia ka ecur shumë përpara,” thekson ai.

Luani ndan me ne një kujtim të veçantë nga vitet e tij të punës.

“Kur kam qenë ushtar ishim duke parë televizor mbasdite dhe ai u dogj duke punuar. Erdhi një kolpo dhe u dogj. Bam andej, bam këtej me magazinierin modifikuam do materiale që i përdornim në ushtri dhe e bëmë televizorin pas dy orësh,” kujton riparuesi i televizorëve.

Ai tregon se si ndihet kur mendon për gjithë këto vite pune dhe për rrugëtimin e tij.

“Kur një punë del në rregull dhe kur thotë tjetri ‘të lumshin duart!’ është një kënaqësi,” shprehet ai.

Për Luan Zylyftarin çdo televizor i riparuar nuk është thjesht një pajisje që rikthehet në punë, por edhe një sfidë e fituar me mjeshtëri dhe përkushtim ndër vite.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme