Rama njofton zgjedhje të parakohshme për Bashkinë Tiranë: Ogerta Manastirliu, njeriu që i duhet kryeqytetit

Politikë | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot (11 shtator) mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës, duke propozuar emrin e Ogerta Manastirliut si kandidate të PS.

Ogerta Manastirliu, e cila deri në këto momente ka mbajtur detyrën e Ministres së Arsimit, sipas Kryeministrit Rama është personi i duhur për të qenë në krye të Bashkisë së kryeqytetit.

Teksa Bashkia prej 7 muajsh drejtohet nga kryetarja e komanduar Anuela Ristani, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, kryeministri u kërkoi anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak që të ndërmarrin mekanizmat e duhur ligjorë për të shkarkuar nga detyra kryetarin aktual që t’i hapet rruga pasardhësit.

“Vijmë te emergjenca e Tiranës. Pas 7 muajsh Tirana nuk ka asnjë kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës, asnjë kryetar bashkie të denjë nga drejtësia për detyrën. Sot kemi një kryetar të zgjedhur tri herë dhe që i është mohuar e drejta e gjykimit në liri.

Tirana ka punë të mëdha e të panumërta. S’i heq meritë kryetares në detyrë për sa ka bërë në këto 7 muaj, por sot ne duhet të marrim vendimin politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë.

Anëtarët tanë në Këshillin Bashkiak duhet të vënë në lëvizje mekanizmin ligjor të kryebashkiaku të zgjedhur, pavarësisht se kuadri ligjor lë për të dëshiruar kur kryetari i bashkisë nuk paraqitet në detyrë se është i penguar nga paraburgosja. Nuk është propozim që po e bëj me zemër të lehtë“, deklaroi Rama.

Prej 7 muajsh, Bashkia e Tiranës drejtohet nga Anduela Ristani, e komanduar në detyrë pak ditë pas arrestimit më 10 shkurt të kryebashkiakut Veliaj.

Ky i fundit është dërguar për gjykim nga SPAK për 13 vepra penale, mes tyre për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, shpërdorim detyre, mosdeklarim pasurie dhe futje të sendeve në burg.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme