Virozat e stinës në Elbasan – 200 raste përditë ditë në urgjencë, mjekët apelojnë për vaksinim

Gjatë këtij muaji, Urgjenca e Spitalit Rajonal të Elbasanit është duke u hasur me një fluks të lartë të pacientëve të prekur nga virozat stinore.
Bluzat e bardha pohojnë se kryejnë rreth 200 vizita në ditë, ndërsa pacientët vijnë me simptoma si temperaturë e lartë dhe vështirësi në frymëmarrje. Më të prekur janë kryesisht mosha e tretë, por nuk përjashtohen rastet e të rinjve, sidomos ata që konsumojnë rregullisht duhan.
“Kanë filluar edhe grumbullimet. Shkollat janë një arsye më tepër. Duhet të paraqiten te mjeku i familjes paraprakisht për të marrë këshillimin e duhur dhe më tej të mos e lënë situatën të agravojë,” këshillon mjeku Ergys Mici, drejtues i Urgjencës së Spitalit Rajonal Elbasan.
Problemi më madhor mbetet trajtimi i pacientëve që kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese, duke ndikuar ndjeshëm në rëndimin e gjendjes shëndetësore, deri në hospitalizimin e tyre.
“Moshat e treta mund të kenë problematika, siç mund të jenë sëmundjet e ndryshme, problemet kardiake, diabeti melit, astma bronkiale, që me virozën bashkëngjitur e agravon situatën më tej,” shton Dr. Mici.
Këshilla e mjekut për qytetarët është vaksinimi ndaj gripit për të shmangur komplikacionet në rast infektimi. Aktualisht ka nisur fushata e vaksinimit në popullatë, ndërkohë bëhet e ditur se i gjithë stafi që punon në urgjencën e spitalit është vaksinuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




