Eksperti Rajta: Çdo 3 minuta regjistrojmë tentativa për sulme kibernetike në Shqipëri
Sulmet kibernetike mbi aeroportet europiane gjatë javëve të fundit shkaktuan vonesa të fluturimeve të qytetarëve dhe ngritën pikëpyetjen mbi sigurinë kibernetike në vendin tonë.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Jetmir Rajta, ekspert i sigurisë kibernetike, bëri me dije se në sektorë të ndryshëm të ekosistemit kibernetik në Shqipëri regjistrohen tentativa për sulme çdo tri minuta.
“Një ngjarje e tillë na vuri dhe ne në alarm këtu në Shqipëri. Ne në AKSK rritëm nivelin e monitorimit mbi infrastrukturat kritike. Ky është hap fillestar se ç’ndodhi në këtë sulm. Duke parë këto trendë ne i kushtojmë vëmendje shumë të veçantë këtij sektori, duke pasur bashkëpunim me Albcontrol, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, autoriteti i Aviacionit Civil. Ne regjistrojmë tentativa për sulm kibernetik çdo 3 minuta, mbi ekosistemin tonë kibernetik në sektorë të ndryshëm”, deklaroi Rajta.
Ndalur te sulmet kibernetike në aeroportet në Gjermani, Belgjikë, Spanjë, Itali, Britaninë e Madhe, eksperti theksoi se siguria e fluturimeve nuk varet vetëm prej linjës ajrore, por një zinxhiri të tërë kompanish teknologjike. Në këto raste, eksperti sqaroi se u prek vetëm siguria e informacionit.
“Rreziku duhet parë në tri nivele që duhet parë sulmi: Kaosi operacion, kur bien sistemet e automatizuara dhe kalohet në procedura manuale.
Niveli i dytë është që rëndësia e palëve të treta. Siguria e udhëtimit tonë nuk varet vetëm nga linja ajrore, por një zinxhir i tërë kompanish teknologjike që merren me mbarëvajtjen e udhëtimit, Kompromentimi i njërit nga këto sisteme, mund të shkaktoj efekt zinxhir”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




