Ekspertja e IT, Bilibashi: “Diella” nuk është ministre, por sistem AI. Do kohë të trajnohet
Shumë shqiptarë u surprizuan nga një ministre virtuale dhe të Inteligjencës Artificiale, siç është “Diella”.
Kjo temë u shtrua të hënën edhe në emisionin “3D” në RTSH 1, ku moderatori Alban Dudushi pati një intervistë me eksperten e teknologjisë, Hati Bilibashi.
Ekspertja për fushën e Inteligjencës Artificiale tha se është befasuar nga kjo shpallje e fundit e qeverisë shqiptare, edhe pse pranoi se rruga për të shkuar deri aty sa “Diella” të meritojë realisht emrin “ministër” do të jetë e gjatë.
“Ne ministrat të gjithë i mendojmë që do t’i takojmë në rrugë, ta shikojmë si gjithë ministrat e tjerë. Duke qenë se njerëzit në masë kanë parë një imazh dhe e mendojnë edhe si një njeri real, por duhet të kuptojmë që është një sistem. Mund ta quani ministre. Mund ta quani asistente. Unë sistemet e Inteligjencës Artificiale i quaj asistentë që na ndihmojnë kudo. Sigurisht edhe Diella do të jetë një sistem që do të ndihmojë qeverinë për të realizuar qëllimin që i kanë vendosur.
Në realitet, Diella akoma nuk e ka filluar detyrën për të cilën e kanë krijuar apo misionin që duhet të realizojë. Akoma është një sistem që përdoret dhe nuk mund t’i vendoset emri ‘ministër’, pavarësisht si mund ta quajmë për çështje PR apo politike. Në qoftë se flasim në aspektin teknik është një rrugë e gjatë që duhet shpjeguar. Është një rrugë e gjatë për zhvillimin, një rrugë e gjatë se sistemet AI duhen trajnuar me të dhëna. Në qoftë se fokusohemi te prokurimet, duke qenë se lobohet fort që ky do të jetë qëllimi kryesor, që prokurimet publike të realizohen 100% me AI. Nuk është e thjeshtë. Është shumë e vështirë, sepse sistemi duhet trajnuar me të dhënat e prokurimeve publike. Që ta arrijmë ta trajnojmë duhet të kemi 100% gjithçka të digjitalizuar, që realisht nuk e kemi të digjitalizuar, që sistemi ta marrë dhe ta përpunojë.
Po marrim një kohë minimale, kur sistemi është zhvilluar dhe është ndërtuar dhe është testuar idealisht për të funksionuar. Do të duhet një kohë minimale rreth 6 muaj për ta trajnuar lidhur me funksionin që do të ketë. Në këtë moment, nëse nuk bëhet trajnimi me bazën ligjore dhe me gjithçka që duhet të funksionojë për biznesin e prokurimeve, absolutisht që [Diella nuk është gati], jo!” tha znj. Bilibashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




