Ndërron jetë Claudia Cardinale – Ikona e kinematografisë shuhet në moshën 87-vjeçare
Claudia Cardinale, një nga figurat më përfaqësuese të kinemasë italiane dhe botërore, është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare në Nemours, një rajon i Parisit ku jetonte prej vitesh.
E lindur më 15 prill 1938 në Tunis, nga prindër sicilianë që emigruan gjatë protektoratit britanik, Claudia Cardinale hyri në botën e filmit në vitet 1950 dhe ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme, që zgjati mbi gjashtë dekada.
Ajo luajti në më shumë se 150 filma, duke punuar me disa nga mjeshtërit më të mëdhenj të kinemasë, përfshirë Luchino Visconti, Federico Fellini, Sergio Leone, Mauro Bolognini dhe Werner Herzog. Përveç karrierës filmike, ajo pati një angazhim të gjerë në teatër dhe në mbështetjen e autorëve të rinj.
Cardinale ishte një figurë e dashur dhe e respektuar në skenën kulturore ndërkombëtare, duke qëndruar larg vëmendjes mediatike të panevojshme, por gjithmonë aktive në art dhe çështje shoqërore.
E vlerësuar me pesë çmime “David di Donatello”, pesë “Nastro d’Argento”, si dhe me çmime për arritje jetësore nga festivalet e Venecias dhe Berlinit, Claudia Cardinale do të kujtohet jo vetëm për bukurinë dhe praninë e saj në ekran, por edhe për integritetin dhe vetëdijen me të cilat e përjetoi artin dhe jetën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




