Raporti i NCSI 2025, Shqipëria ngjitet në vendin e 15-të në botë për sigurinë kibernetike

Shqipëria është renditur në vendin e 15-të në botë në fushën e sigurisë kibernetike. Sipas National Cyber Security Index (NCSI), Shqipëria është renditur me 85 pikë në vendin e 15-të, duke shënuar një ngritje prej 39 pozicionesh krahasuar me vitin 2023, kur vendi ynë ishte në vendin e 54-të me 62.34 pikë.
Rezultati i vitit 2025 tregon se Shqipëria nëpërmjet Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërtuar kapacitete të qëndrueshme institucionale dhe teknike, duke e bërë sigurinë kibernetike një element kyç të zhvillimit dhe integrimit digjital të vendit.
Sipas raportit Shqipëria ka përditësuar kuadrin ligjor, janë miratuar akte nënligjore të reja, ka një strategji kombëtare, plan veprimi funksional dhe është konsoliduar roli i AKSK si autoritet qendror për sigurinë kibernetike.
Lidhur me ndërgjegjësimin publik dhe analiza e kërcënimeve, raporti thotë se është siguruar 100% përmbushje, ku publikohen raporte për kërcënimet kibernetike dhe zhvillohen fushata të rregullta ndërgjegjësuese, duke rritur nivelin e informimit të qytetarëve dhe institucioneve.
Duke iu referuar boshllëqeve në vitin 2023, raporti vlerëson se në 2025 Shqipëria ka arritur 100% përmbushje, me kapacitet kombëtar CIRT, mekanizma online për raportim dhe detyrime ligjore për operatorët.
Menaxhimi i krizave, ishte një nga fushat me rritjen më të ndjeshme, përmes planit kombëtar për krizat kibernetike dhe trajnimeve praktike kombëtare e rajonale.

“Mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe e të dhënave personale është arritur 100% përmbushje, duke vendosur detyrime ligjore për infrastrukturat kritike, skema auditimi dhe mbrojtje të garantuar nga autoritetet përgjegjëse”, thuhet në raport.
Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, raporti vlerëson se Shqipëria ka përmbushur 100% të indikatorëve, duke marrë pjesë aktive në rrjete të BE-së, OSBE-së dhe iniciativa globale për ndërtimin e kapaciteteve.
Çfarë është NCSI?
National Cyber Security Index (NCSI) është një indeks ndërkombëtar që mat nivelin e përgatitjes së shteteve për të parandaluar kërcënimet dhe për të menaxhuar incidentet kibernetike. Ai zhvillohet nga E-Governance Academy (EGA) në Estoni, një organizatë e njohur globalisht për ekspertizën në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike.
Indeksi përfshin 112 shtete dhe vlerëson mbi 40 indikatorë që mbulojnë: kuadrin ligjor dhe institucional, mbrojtjen e shërbimeve kritike dhe të dhënave personale, kapacitetet e reagimit dhe menaxhimit të krizave, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




