Shkodër – Inteligjenca Artificiale rrit vizitat në Muzeun Historik, ndikim edhe në monitorimin e territorit
Interesimi i vizitorëve për Muzeun Historik të Shkodrës ka ardhur gjithnjë në rritje dhe një pjesë e këtij suksesi lidhet me përdorimin e platformave të inteligjencës artificiale.
Drejtuesja e muzeut, Majlinda Laçaj, thekson se këto platforma e kanë bërë më të lehtë për turistët të gjejnë informacione, t’i planifikojnë vizitat e tyre dhe të njihen me historinë e qytetit përpara se të mbërrijnë në Shkodër.
“Tashmë jo vetëm mediat por edhe ChatGPT po bën punën e tij. Kur pyesim turistët pse kanë zgjedhur Shkodrën, ato shprehen “ma ka sugjeruar ChatGPT””, tha Laçaj.
Ndërkohë, eksperti i mjedisit Ervis Krymbi shpjegon se AI po përdoret edhe në sistemet e monitorimit të mjedisit, ku është i përfshirë edhe vendi ynë.
Kjo teknologji lejon mbledhjen dhe analizimin në kohë reale të të dhënave duke ofruar mundësinë për ndërhyrje më të shpejta dhe më efektive për mbrojtjen e natyrës.
“Sa i përket sistemit të monitorimit të mjedisit evropianë, ku është e përfshirë edhe vendi ynë, imazhet e shumta satelitore japin sinjalizime për ndërhyrje në kohë. Një ndërthurje e saj dhe terrenit do të siguronte një mbrojtje më të mirë të territorit”, u shpreh eksperti i mjedisit.
Përfshirja e inteligjencës artificiale si në kulturë ashtu edhe në mbrojtjen e mjedisit shihet si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik.
Ekspertët thonë se ky është vetëm fillimi dhe se përdorimi i saj do të zgjerohet edhe në fusha të tjera, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shkodrës.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




