“Shkaku për luftë”, Mitsotakis i bën thirrje Turqisë të tërheqë “casus belli”: Na duhet dialogu, jo gjuha e armëve

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i përsëriti të dielën Turqisë që të heqë dorë nga “casus belli”, pretendimet territoriale që mund ta çojnë Ankaranë deri në luftë me Athinën.
“Casus belli” u miratua nga parlamenti turk në qershor 1995, duke marrë shkas nga tensionet e lindura me Greqinë në fillim të viteve ’90 për ujërat territorialë dhe nëse Greqia do i zgjeronte territoret e saj në Detin Egje përtej gjashtë miljeve detare, sipas ligjit ndërkombëtar. Pala greke pretendon se Ligji i Detit ia lejon zgjerimin deri në dymbëdhjetë milje detare, siç ka vepruar edhe Turqia në Detin e Zi apo Mesdheun Lindor.
“Theksova se na duhen marrëdhënie të mira me Turqinë. Por pas 30 vitesh, ka ardhur koha që të tërhiqet nga casus belli. E ardhmja kërkon dialog, jo gjuhën e armëve,” shkroi Mitsotakis në mediet sociale, duke iu referuar edhe fjalimit që ai mbajti këtë javë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Kryeministri grek vlerësoi se vendi i tij njihet si një forcë stabiliteti në Europën Juglindore dhe në Mesdhe, si një destinacion tërheq për investitorët, dhe si një nyjë lidhëse energjetike për tërë rajonin deri brenda Europës.
Sipas Mitsotakis, Greqia tashmë shpenzon mbi 3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, e ndikuar pjesërisht nga kërcënimet e mundshme të sigurisë rajonale, si edhe prej marrëdhënies së saj me Greqinë.
“Po lind një rend i ri botëror. Multilateralizmi është nën presion dhe ne përballemi me realitete të reja – ndryshimet klimatike, migracioni, inteligjenca artificiale. Bota po ndryshon. Greqia është një shtyllë stabiliteti. Ne kërkojmë dialog dhe bashkejetesë të paqtë me fqinjët tanë. Por ne nuk jemi naivë. Ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm për kërcënimet dhe paqëndrueshmërinë në rajonin tonë,” deklaroi Mitsotakis në Asamblenë e OKB-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




