László Krasznahorkai fiton Çmimin Nobel në Letërsi 2025 për veprën “bindëse dhe vizionare”
Akademia Suedeze ka shpallur shkrimtarin hungarez László Krasznahorkai si fituesin e Çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2025, “për veprën e tij bindëse dhe vizionare që, në mes të terrorit apokaliptik, riafirmon fuqinë e artit”.
Krasznahorkai njihet si një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë bashkëkohore evropiane, me një stil të dendur dhe hipnotik që ndërthur absurditetin, groteskun dhe një reflektim të thellë filozofik.
I krahasuar shpesh me Franz Kafka dhe Thomas Bernhard, historitë e tij shtrihen përtej traditën së Evropës Qendrore, duke marrë frymëzim nga kultura dhe estetika e Lindjes, veçanërisht Japonia dhe Kina.
I lindur në Gyula, Hungari, më 1954, Krasznahorkai ka krijuar romane të njohura SI The Melancholy of Resistance”, “War and War” dhe “Baron Wenckheim’s Homecoming”, me të cilat autori eksploron shkatërrimin shpirtëror, krizën e qytetërimit dhe kërkimin e kuptimit në një botë të rrënuar.
Kritika botërore e ka cilësuar si “Kafka i shekullit XXI” ose “Dostojevski i fundit i Europës Lindore”.
Deri më tani, dy vepra të romancierit Laszlo Krasznahorkait janë përkthyer në gjuhën shqipe, “Melankolia e qëndresës” dhe “Tangoja e Satanait”.
Në reagimin e tij të parë pas shpalljes së çmimit, Krasznahorkai tha: “Letërsia nuk është për t’u shpërblyer. Është për të duruar. Por jam mirënjohës që fjalët e mia kanë mbijetuar.”
Gazetare: a.k. / Katerina Kule
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




