Ndërprerja masive e internetit lë jashtë funksioni Amazon, Snapchat, Duolingo dhe platforma të tjera

Një ndërprerje e madhe në Amazon Web Services (AWS) ka shkaktuar probleme serioze në funksionimin e shumë prej aplikacioneve dhe faqeve më të njohura në botë, përfshirë Snapchat, Duolingo, Amazon, Roblox dhe të tjera. AWS ka raportuar një “rritje të shkallës së gabimeve dhe vonesave” për shumë nga shërbimet e saj në rajonin US-EAST-1, një nga zonat më të rëndësishme të qendrave të të dhënave të saj në SHBA.
Sipas një përditësimi në faqen zyrtare të shërbimit, inxhinierët e AWS janë angazhuar menjëherë dhe po punojnë për të zbutur ndikimin dhe për të identifikuar shkakun rrënjësor të problemit.
Në faqen e Amazon Web Services (AWS) është publikuar një përditësim, duke premtuar më shumë informacion.
“Mund të konfirmojmë shkallë të konsiderueshme gabimesh për kërkesat e bëra në pikën fundore DynamoDB në Rajonin US-EAST-1. Ky problem ndikon edhe në shërbimet e tjera AWS në Rajonin US-EAST-1. Gjatë kësaj kohe, klientët mund të mos jenë në gjendje të krijojnë ose përditësojnë rastet e ndihmës. Inxhinierët u angazhuan menjëherë dhe po punojnë në mënyrë aktive si për zbutjen e problemit, ashtu edhe për të kuptuar plotësisht shkakun rrënjësor”.
AWS, që është pjesë e gjigantit Amazon, mbështet miliona faqe interneti dhe aplikacione globale me infrastrukturën e saj cloud.
Kjo ndërprerje nënvizon varësinë e madhe të botës dgjitale nga platformat e shërbimeve cloud si AWS, dhe pasojat që mund të sjellë një defekt në një prej tyre. Përdoruesit në të gjithë botën kanë raportuar vështirësi në aksesimin ose përdorimin e aplikacioneve të përditshme, duke krijuar një kaos të përkohshëm digjital.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




