Dita Botërore e Diabetit, Rama u bashkohet thirrjeve të mjekëve: Të kryehen kontrolle periodike, fishat e glukozës falas për grupet në nevojë

Aktualitet | 11 muaj më parë

Në Ditën Botërore të Diabetit, Kryeministri Edi Rama ka publikuar një mesazh përmes një video në Facebook, ku thekson rëndësinë e kontrolleve të rregullta shëndetësore dhe masat që qeveria ka planifikuar për të mbështetur pacientët.

Rama u bashkua thirrjeve të mjekëve për depistim të hershëm, duke theksuar se diabeti është një nga sëmundjet kronike që kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe ndërgjegjësim të shtuar.

“Në Ditën Botërore të Diabetit, mjekët bëjnë thirrje për kryerjen e kontrolleve të rregullta shëndetësore. Me buxhetin 2026 për shëndetësinë mbështetet depistimi falas në programin e kontrollit bazë, si dhe ofrimi i fishave për matjen e glukozës për grupet në nevojë, ndërsa po punohet për përmirësimin e listës së barnave të rimbursueshme”, shkruan Rama.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toçi, në videon e publikuar shprehet se “Qeveria shqiptare është e angazhuar në drejtim të forcimit të zbulimit të hershëm të diabetit”.

“Në Shqipëri janë regjistruar 111 mijë persona me diabet. Çdo vit diagnostifikohen 6 mijë raste të reja. Qeveria shqiptare është e angazhuar në drejtim të forcimit të zbulimit të hershëm nëpërmjet programit të check up-it, kryehet edhe analiza e glicemisë esëll për të zbuluar sa më herët rastet me diabet. Gjithashtu është e angazhuar në ofrimin falas të fishave për matjen e glicemisë për grupmosha të caktuara, për ata mbi 65 vjeç dhe për personat me aftësi të kufizuara. Gjithashtu ka angazhimin për të vijuar trajtimin falas të gjithë pacientëve që diagnostifikohen me diabet“, tha Toçi.

Drejtoresha e ISHP-së tha po ashtu se “është shumë e rëndësishme ndjekja e një stili jetese të shëndetshme jetese duke filluar nga ushqyerja, shmangia e duhanit, një dietë e pasur me fruta e perime për të sëmurët diabetikë duhet të kryejnë kontrolle periodike tek mjeku i familjes apo edhe ai specialist, në mënyrë që të shmangin dhe komplikacionet”.

Ndërsa Presidenti i Shoqatës së Diabetit, Florian Toti këshilloi kryerjen e vaksinës kundër gripit dhe COVID-it për personat me diabet.

“Duke qenë se jemi në periudhën e dimrit është shumë e rëndësishme edhe pjesa e vaksinimit, jo vetëm për gripin, por edhe për COVID-in për të sëmurët kronikë, por personat me diabet janë më të predispozuar për të pasur më shumë komplikacione pas situatës së gripit”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme