Dhuna në familje, fenomen shqetësues/Qendra e trajtimit të rasteve të dhunës në familje ka trajtuar mbi 60 persona

Sociale | 1 minutë më parë

Qendra e Trajtimit të Rasteve të Dhunës në Familje në Bashkinë Gjirokastër, që nga fillimi i këtij viti e deri tani, ka trajtuar rreth 60 raste të dhunës në familje.

Për çdo rast, viktimat kanë marrë mbështetje të plotë psikologjike, juridike dhe sociale. Këto shifra tregojnë se fenomeni mbetet shqetësues dhe se angazhimi i institucioneve dhe shoqërisë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave është  i domosdoshëm .

“Në qendër të trajtimit të rasteve të dhunës është mbështetja dhe mbrojtja e personave që përjetojnë dhunë, veçanërisht e grave dhe vajzave, për t’u ofruar atyre sa më shumë siguri, mbështetje dhe mundësi për të vazhduar jetën me dinjitet. Gjatë këtij viti kemi pasur një shtim të rasteve të dhunës. Janë trajtuar rreth 60 raste, nga të cilat 30 janë raste të reja, ndërsa pjesa tjetër janë raste që kanë vijuar të marrin mbështetje nga qendra”, u shpreh Suela Kashahu.

Sipas të dhënave çdo rast trajtohet në përputhje me  nevojat individuale të personit të dhunuar .

“Puna jonë nuk ndalet vetëm në trajtimin e rasteve. Ne përpiqemi që çdo person që troket në dyert e qendrës sonë të marrë shërbimin që i nevojitet. Çdo rast trajtohet me privatësi dhe respekt, në përputhje me nevojat individuale”, tha ajo.

Përmes shërbimeve të ofruara, Qendra e Trajtimit të Rasteve të Dhunës në Familje synon të garantojë mbrojtjen dhe riintegrimin e personave të dhunuar. Ndërkohë, ndërgjegjësimi, raportimi në kohë dhe bashkëpunimi mes institucioneve mbeten thelbësore për parandalimin e këtij fenomeni.

Gazetar : Enkeleda Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme