Zelensky në Athinë të dielën. Energjia në qendër të takimit me Mitsotakisin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të zhvillojë nesër një vizitë të shkurtër në Athinë, ku do të takohet me autoritetet më të larta të shtetit grek.
Ai pritet të mbërrijë në aeroportin El. Venizelos pasditen e së dielës dhe më pas do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës Konstantinos Tasoulas, Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis në Rezidencën Maximos, si dhe me Kryetarin e Parlamentit Nikitas Kaklamanis.
Në qendër të bisedimeve do të jetë sektori energjetik, me fokus tek korridori vertikal i gazit natyror që nis nga Aleksandropolisi, kalon nëpër Rumani e Moldavi dhe ka si destinacion përfundimtar Ukrainën.
Ky projekt është forcuar pas marrëveshjeve të fundit në Zappeion dhe itinerarit të transportit të LNG-së amerikane përmes infrastrukturës greke.
Vizita e Zelensky-t lidhet drejtpërdrejt me nevojat në rritje të Ukrainës për energji, për shkak të dëmtimit të rrjetit dhe rezervave të kufizuara, që e detyrojnë Kievin të kërkojë 30% më shumë importe gazi për dimrin e ardhshëm.
Greqia, nga ana tjetër, synon të forcojë rolin e saj si një qendër gazi për Ballkanin dhe Evropën Lindore, duke përdorur terminalin e Revithoussës dhe FSRU-në e Aleksandropolit.
Në një mesazh të premten, Zelensky konfirmoi se Kievi dhe Athina po “përfundojnë një marrëveshje në sektorin e energjisë”, e cila synon maksimizimin e opsioneve të furnizimit me gaz, si për këtë dimër ashtu edhe në planin afatgjatë. Ai shtoi se marrëveshjet me vendet evropiane “nga Norvegjia në Greqi” do të forcojnë garancitë për sigurinë energjetike të Ukrainës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




