Fermerët në Greqi protesta për shkak të uljes së subvencioneve, bllokojnë akset kombëtare, përleshen me policinë

Greqi | 10 muaj më parë

Fermerët në Greqi kanë dalë masivisht në protesta për shkak të reduktimit dhe vonesave në pagesat e subvencioneve, si dhe rritjes së kostove të prodhimit, duke shkaktuar bllokime të mëdha rrugore dhe përplasje me policinë.

Rreth 2,500 traktorë kanë zënë disa nga akset kryesore kombëtare, ndërsa mijëra fermerë, blegtorë, punëtorë dhe studentë nga rajonet e Larisës dhe Karditsës janë bashkuar në bllokime rrugësh.

Protestat u shoqëruan me tensione në disa zona, ku fermerët u përplasën me forcat e policisë. Policia përdori gaz lotsjellës për të mbajtur të hapur autostradën. Nga përplasjet u plagosën një fermer dhe dy policë, ndërsa u kryen tre arrestime.

Sindikatat paralajmërojnë se protestat do të përshkallëzohen më tej gjatë javës. Bllokime të reja priten deri të premten në të gjithë vendin, ndërsa planifikohen gjithashtu bllokime të pikave doganore dhe porteve.

Fermerët deklarojnë se protesta e sotme ka pasur karakter simbolik, por theksojnë se situata ka arritur “pikën e tejmbushjes”, duke shtuar se nuk do të tërhiqen pa marrë zgjidhje konkrete.

Subvencionet e para të BE-së kanë nisur të mbërrijnë në fillim të këtij muaji, por fermerët thonë se pagesat kanë qenë dukshëm më të ulëta se sa u ishte premtuar, ndërsa pagesat për vitin 2024 mbeten të papaguara. Qeveria greke ka pranuar se kësti i parë i subvencioneve është më i vogël se ai i vitit të kaluar dhe se mbi 40,000 aplikime janë ende në proces verifikimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme