I hoqën burgimin përjetë Dritan Dajtit – Gjykata e Lartë vendos rigjykim në Apelin e GJKKO për 3 gjyqtarët

Aktualitet | 10 muaj më parë

Gjykata e Lartë ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Apelit për pushimin e hetimeve ndaj tre gjyqtarëve, Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët më parë lehtësuan dënimin për Dritan Dajtin. Trupi gjykues i përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici riktheu çështjen për rigjykim në të njëjtën gjykatë, por me një trupë tjetër gjykuese.

Rekursin e kishin paraqitur vetë tre gjyqtarët, duke kërkuar kthimin e pasurisë së sekuestruar dhe të celularëve nga Prokuroria, por vendimi i fundit i rikthen ata përballë një procesi të hapur.

Çështja lidhet me vendimin e vitit 2019, kur Nikolli, Aliaj dhe Damini, me shumicë votash, pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, duke e dënuar nga burgimi i përjetshëm në 25 vite. Ky vendim, i cili uli dënimin me një të tretën, u anulua më 2024 nga Gjykata e Lartë, e cila riktheu dënimin me burgim të përjetshëm.

Dajti u shpall fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë më 7 gusht 2009 në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij, ku ishin të pranishëm disa punonjës policie dhe u mor informacion për makinën ku dyshohej se ndodhej ai.

Me rikthimin e hetimeve, tre gjyqtarët rrezikojnë rivlerësim të rolit të tyre në vendimmarrjen që uli dënimin për një nga ngjarjet më të rënda kriminale në vend.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme