Temperaturat e ulëta “ngacmojnë” të sëmurët kardiakë, Çela: Një pjesë e mirë nuk janë në dijeni

Shëndet | 10 muaj më parë

Ndryshimi i kushteve klimaterike dhe hyrja në stinën e ftohtë të dimrit është reflektuar edhe në kategoritë e pacientëve që paraqiten në urgjencën e spitalit të Gjirokastrës për të kërkuar ndihmë. Kryesisht janë ata që vuajnë nga problemet kardiake, ku mes tyre ka nga ata që nuk janë në dijeni për sëmundjen, thotë mjeku i urgjencës Bledar Çela.

“Bëhet fjalë kryesisht për personat që futen në moshën e riskut, pas moshës 55-60 vjeç. Një pjesë e tyre janë për një farë kohe me tension të lartë dhe nuk e kanë ndjerë. Vjen një moment që ata ndjejë se kanë shqetësime dhe masin tensionin dhe e kanë në vlera të larta. Një pjesë e tyre, edhe të alarmuar, paraqiten në urgjencë”, deklaroi Çela.

Ajo çka është e rëndësishme në vijim është mbajtja në kontroll e gjendjes shëndetësore si me matjen e vazhdueshme të tensionit ashtu edhe me kontrolle të vazhdueshme të specialisti.

“Rëndësi ka ndjekja në shtëpi, si bën konsultat e rregullta, duke ditur se një i sëmurë hipertonik do e ketë atë për gjithë kohën dhe ka rëndësi si e ndjek ai veten, qoftë duke kontrolluar tensionin, terapinë, i bën efekt terapia apo jo, duke bërë konsultat e rregullta me kardiologun, po kështu dhe analizat”, shtoi mjeku.

Përsa i përket gjendjeve virale, rastet që janë paraqitur në urgjencën e Gjirokastrës kanë qenë të pakta pasi ato janë menaxhuar nga mjekët e familjes.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme