Berat, katër punonjës policie nën hetim për shpërdorim detyre. AMP ekzekuton masat e sigurisë

Katër punonjës policie në Berat janë pezulluar nga detyra pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila ka caktuar masën e sigurisë “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.
Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, sipas nenit 248 të Kodit Penal.
Punonjësit e pezulluar janë: inspektorët A.S., M.D. dhe A.Q., me detyrë trupë shërbimi në Seksionin për Trafikun Urban dhe Interurban pranë DVP Berat, si dhe K.G., oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Berat.
Masat u vendosën pas hetimeve proaktive të kryera nga AMP në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Nga hetimet ka rezultuar se gjatë ushtrimit të detyrave funksionale, këta punonjës policie, me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, kanë penalizuar ose favorizuar drejtues mjetesh të konstatuar në shkelje ose jo të Kodit Rrugor.
AMP thekson se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe integritetit të strukturave të rendit.
Agjencia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje nga punonjësit e policisë, duke përdorur numrin e gjelbër 0800 9090, adresën e emailit [email protected], aplikacionin “Agjencia Digjitale” në Play Store dhe App Store, si dhe kontaktin në Whatsapp 0694151511.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




