Balluku: Parku i energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë, simbol i transformimit drejt një ekonomie të qëndrueshme
Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm në rrugën drejt sovranitetit energjetik me ndërtimin e parkut eolik në Tropojë, me kapacitet prej 600 megavatësh, një nga projektet më të mëdha të energjisë së rinovueshme në vend. Investimi realizohet nga kompania amerikane CWP.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi edhe zv.kryeministre, Belinda Baklluku, e cilësoi këtë projekt si një zhvillim domethënës, duke theksuar se nuk është thjesht një investim energjetik, por një simbol i transformimit që po përjeton Shqipëria drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe të hapur ndaj inovacionit.
“Ky projekt dëshmon se sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re, ku investimet private dhe të huaja direkte po shndërrohen në motorë të rritjes falë partneriteteve serioze dhe vizioneve afatgjata. Shqipëria po kalon nga varësia thuajse e plotë nga hidrocentralet në një model modern, të balancuar energjetik, ku diversifikimi i burimeve është domosdoshmëri strategjike,” u shpreh ministrja.
Sipas Ballukut, vetëm në vitet e fundit janë angazhuar mbi 1.5 miliardë euro investime private në sektorin e energjisë, ndërsa në total sektori energjetik shqiptar ka tërhequr mbi 2 miliardë euro.
“Investimet e huaja direket janë treguesi më i qartë ëi stabilitetit tonë ekonomik. Sot ky besim është i dukshëm dhe i matshëm pasi vetëm në vitet e fundit mbi 1.5 mld euro investime private janë angazhuar ose janë në proces në sektorin e energjisë. Në tërësi në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 mld euro. Kemi një portofol projektesh që vitet e ardhshme pritet t’i çojë kapacitete e reja prodhuese të rinovueshme të vendit më tej se 1500 megavat/orë”, theksoi Ministrja.
Sipas Ballukut, angazhimi i kompanisë CWP në Shqipëri do të sjelli jo vetëm investim financiar, por edhe eksperiencë globale në zhvillimin e projekteve të këtij lloji.
“CWP është një kompani lider në energjinë e rinovueshem në Europën Juglindore dhe angazhimi i saj në Shqipëri do të sjellë ndër të tjera edhe përvojë të pasur dhe eksperiencë globale të projekteve të këtij lloji. Kjo kompani prezantohet si një garanci e fortë për një histori suksesi me parkun eolik të Tropojës”, deklaroi Balluku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




