Mori bizhuteri, para e pajisje/ Zbardhen disa vjedhje në banesa në Durrës, arrestohet 29-vjeçari

Aktualitet | 9 muaj më parë

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Target”, i zhvilluar për zbardhjen dhe dokumentimin e disa rasteve vjedhjeje në banesa. Si rezultat i hetimeve, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi D. C., 29 vjeç, banues në Sukth.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 29-vjeçari, gjatë periudhës dhjetor 2025 – janar 2026, ka kryer të paktën 3 vjedhje në banesën e një shtetaseje italiane në zonën Fermë Sukth, ku ka marrë shuma parash, bizhuteri dhe pajisje të ndryshme. Gjithashtu, ai dyshohet se është autor i vjedhjeve në edhe 5 banesa të tjera.

Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti të riut një pistoletë sportive, të cilën e mbante pa leje, si dhe një maskë dhe një palë doreza, që dyshohet se i përdorte për kryerjen e vjedhjeve.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme ku mund të jetë i përfshirë ky shtetas. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja”, e kryer më shumë se një herë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme