Trump bisedë telefonike me Rutte: Do të diskutojmë për Groenlandën në Davos

Presidenti i SHBA, Donald Trump njoftoi të martën (20 janar) se gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, do të zhvillohen bisedime lidhur me Groenlandën ndërsa zbuloi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për këtë çështje.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump shkroi se kishte rënë dakord për një takim mes palëve të ndryshme në Davos të Zvicrës, duke theksuar rëndësinë strategjike të Groenlandës për sigurinë globale.
“Pata një telefonatë shumë të mirë me Mark Rutte-n, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, në lidhje me Groenlandën. Rashë dakord për një takim të palëve të ndryshme në Davos të Zvicrës,” shkroi Trump.
Ai shtoi se Groenlanda përbën një imperativ për sigurinë kombëtare dhe globale, duke theksuar se nuk ka kthim pas në këtë çështje.
“Siç ua kam shprehur të gjithëve shumë qartë, Groenlanda është një imperativ i Sigurisë Kombëtare dhe Globale. Nuk ka kthim pas – për këtë të gjithë bien dakord,” deklaroi Trump, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë vendi më i fuqishëm në botë.
Trump theksoi gjithashtu se fuqia e SHBA-së, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me rindërtimin e ushtrisë amerikane gjatë mandatit të tij të parë presidencial, një proces që, sipas tij, po vijon me ritme edhe më të shpejta.
“Ne jemi e vetmja forcë që mund të sigurojë paqen në të gjithë botën dhe kjo arrihet përmes forcës,” përfundoi ai.
Një ditë më herët, të hënën (19 janar), Trump deklaroi se beson se udhëheqësit evropianë nuk do t’i rezistojnë për një kohë të gjatë planit të tij për ta kthyer Groenlandën në territor të Shteteve të Bashkuara.
Ai shtoi se ka vlerësim për udhëheqësit e Danimarkës, por sipas tij ata nuk janë në gjendje të mbrojnë territorin e Groenlandës.
“I njoh udhëheqësit e Danimarkës, janë njerëz të mrekullueshëm, por ata as nuk shkojnë atje. Duhet ta marrim. Ata nuk mund ta mbrojnë atë,” përfundoi Trump.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




