“Albania, All Senses”, Shqipëria promovon diversitetin turistik në Panairin Ndërkombëtar FITUR në Madrid

Aktualitet | 8 muaj më parë

Shqipëria rikthehet në Madrid për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e turizmit, ku vendet pjesëmarrëse prezantojnë produktet dhe strategjitë e tyre turistike dhe promovojnë destinacione të veçanta, duke përfshirë turizmin malor, agroturizmin dhe turizmin bregdetar.

Nën sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria synon të tërheqë vizitorët përmes praktikave pozitive dhe të qëndrueshme në turizëm, duke promovuar destinacionet natyrore të Alpeve dhe brigjeve detare, prodhuesit lokalë, produktet artizanale, traditat e lashta, mikpritjen shpirtërore, kulinarinë unike si dhe ofertën kulturore të vendit.

Kryeministri Edi Rama thekson se pjesëmarrja në FITUR është një mundësi për të promovuar emocionet, shijet dhe traditat e Shqipërisë, duke ftuar vizitorët të përjetojnë magjinë e destinacioneve shqiptare dhe të njohin historinë, natyrën dhe kulturën e pasur të vendit.

“Shqipëria rikthehet në Madrid për të prezantuar emocionet, shijet dhe traditat tona unike, ‘Albania All Senses’. Nga 21 deri më 25 janar, në panairin ndërkombëtar të turizmit FITUR, vijojmë traditën e pjesëmarrjes sonë, duke prezantuar diversitetin e jashtëzakonshëm turistik që ofron vendi ynë dhe duke ftuar vizitorë nga Spanja dhe nga e gjithë bota të zbulojnë magjinë e Shqipërisë,” shkruan Rama.

Shqipëria debutoi në panair në vitin 2025, ku stenda e saj ishte ndër më të vizituarat nga 152 shtetet pjesëmarrëse, duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe profesionistëve të turizmit për turizmin e qëndrueshëm dhe ofertat unike që ofron vendi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme