Bordi i Paqes, Rama i përgjigjet Trump: Privilegj dhe nder! Gatishmëri për të kontribuar në këtë angazhim që synon ta kthejë vizionin në veprim

Politikë | 9 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama përmes një letre drejtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Angazhimi i kryeministrit Rama pritet të dërgohet së shpejti edhe në Kuvendin e Shqipërisë për miratim.

Në letrën drejtuar Presidentit Trump, Rama shpreh vlerësimin e thellë për angazhimin dhe udhëheqjen vizionare të tij në themelimin e Bordit dhe falënderon për ftesën e drejtpërdrejtë për të qenë pjesë e kësaj nisme si përkrahëse themeluese për Shqipërinë.

Rama shkruan se Bordi i Paqes nuk është një forum tjetër deklaratash, por një instrument i përqendruar dhe i qëllimplotë për udhëheqje dhe përgjegjësi globale. Ai shpreh gatishmërinë e tij të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për të qenë pjesë e angazhimit të përbashkët për ta kthyer vizionin e paqes në veprim.

“Kjo është një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shpesh panoramën ndërkombëtare, dhe paqja duhet të formësohet aktivisht, jo të pritet pasivisht. Bordi i Paqes është një nismë që trajton pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet strukturore të paqëndrueshmërisë, duke ofruar një model transformues për ndërtimin e paqes në nivel global,” shkruan Rama.

Rama rithekson partneritetin e fortë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, bazuar në vlera të përbashkëta, respekt reciprok dhe përkushtim ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.

Në përfundim të letrës, Rama shpreh interesin për të kontribuar në suksesin e misionit të Bordit të Paqes dhe dërgon konsideratën më të lartë Presidentit Trump dhe Bordit.

Letra e kryeministrit Edi Rama drejtuar Presidentit të SHBA-së, Donald Trump

Republika e Shqipërisë

Kryeministri

Tiranë, 19 janar 2026

Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump

President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Washington, DC

I nderuar Zoti President,

Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.

Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.

Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqendruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.

Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.

Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.

Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.

Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.

Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Me respekt,

Edi Rama

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme