Probleme teknike në Air Force One, Trump udhëton drejt Davos me avion rezervë

Aeroplani presidencial Air Force One, ku udhëtonte Presidenti i SHBA, Donald Trump, drejt Zvicrës për samitin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, u detyrua të ndryshojë kurs dhe të kthehet mbrapsht në Uashington pas një problemi elektrik.
Sipas raportimeve, dritat në kabinë u fikën për pak kohë menjëherë pas ngritjes, duke alarmuar ekuipazhin.
Sekretarja e shtypit, Caroline Levitt, konfirmoi se vendimi për t’u kthyer u mor menjëherë pas zbulimit të defektit.
Pas uljes në bazën ajrore Andrews, presidenti u nis sërish me një avion presidencial rezervë, duke shkaktuar një vonesë prej rreth dy orësh në itinerarin e tij.
Në një intervistë për NewsNation, Trump përsëriti qëndrimin e tij mbi Groenlandën, duke e cilësuar si “të rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Ai shtoi se projekti i “Kupolës së Artë” do të bëhet më efektiv me përfshirjen e Groenlandës, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje me Evropën, ndoshta edhe gjatë ditëve të samitit në Davos.
Pavarësisht incidentit, burime pranë administratës amerikane kanë konfirmuar se udhëtimi i presidentit nuk është ndikuar në mënyrë thelbësore.
Trump pritet të mbërrijë në Davos sot, ku do të mbajë fjalën e tij në sesionet kryesore të Forumit Ekonomik Botëror, duke u fokusuar në çështje globale, ekonomike dhe të sigurisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




