Zbardhet vendimi për shëndetësinë 2026, bonuse deri në 250 mijë lekë për mjekët në rrethe dhe financim për PPP-në e laboratorëve

Shëndet | 9 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore për vitin 2026. Dokumenti, i cili bazohet në Buxhetin e vitit 2026, përcakton mënyrën se si do të paguhen spitalet, stafet mjekësore, si dhe vazhdimësinë e kontratave koncesionare.

Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve që do të financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për vitin 2026 është fiksuar në 13,200 punonjës.

Bonusi 2.5 milionë lekë (të vjetra) për mjekët specialistë

Një nga pikat më të rëndësishme të vendimit lidhet me stimulimin e mjekëve që pranojnë të punojnë në spitalet rajonale apo bashkiake ku ka mungesa. Qeveria ka vendosur që, në raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist, Ministri i Shëndetësisë urdhëron kontraktimin e mjekëve të cilët, përveç pagës, do të përfitojnë një bonus deri në 250,000 lekë në muaj. Vlera e saktë e bonusit do të përcaktohet rast pas rasti, bazuar në vlerësimin e komisionit përkatës.

Gjithashtu, për spitalet që nuk plotësojnë nevojat në shërbimin e urgjencës, parashikohet kontraktimi i mjekëve të qendrave shëndetësore të shërbimit parësor.

Financimi i PPP-së së laboratorëve dhe autonomia spitalore

Vendimi konfirmon vazhdimin e financimit për kontratën koncesionare të Partneritetit Publik Privat (PPP) për shërbimin laboratorik në spitalet universitare, rajonale dhe ato të Sarandës e Lushnjës. Financimi për këtë kontratë mund të rishikohet gjatë vitit me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit.

Në aspektin e menaxhimit, spitalet e Durrësit dhe Spitali “Memorial” në Fier trajtohen me një status më të avancuar autonomie. Për këto dy spitale, buxheti transferohet direkt në llogaritë e tyre bankare dhe detajimi i shpenzimeve bëhet nga bordet e vetë spitaleve, ndryshe nga spitalet e tjera ku buxhetimi është më i centralizuar.

“Fondi rezervë” prej 30%

Një detaj tjetër financiar është se FSDKSH do të mbajë të bllokuar 30% të buxhetit vjetor të planifikuar për spitalet. Ky fond do të shpërndahet gjatë vitit për nevoja specifike, si pagesat për paketa shërbimesh në spitale private (brenda ose jashtë vendit); pagesat sipas marrëveshjeve ndërkombëtare; transferta për mjekët apo financimin e operatorëve të kontraktuar nga Ministria.

Investimet dhe të ardhurat dytësore

Vendimi specifikon se paratë e FSDKSH-së shkojnë për operimin e përditshëm (paga, ilaçe, shërbime), ndërsa shpenzimet kapitale (investimet në godina apo pajisje të mëdha) do të mbulohen direkt nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Spitalet kanë të drejtë të përdorin të ardhurat që krijojnë vetë (nga shërbimet me pagesë apo dhurimet). Për spitalet me autonomi menaxheriale, përdorimi vendoset nga bordi, ndërsa për të tjerat kërkohet miratimi i Ministrisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme