Lamallari pas operacionit në burgun e Elbasanit: Zero tolerancë ndaj shkeljeve, të intensifikohen kontrollet në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka reaguar pas operacionit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në burgun e Elbasanit, ku u arrestuan tre persona për futje të lëndëve narkotike brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
Lamallari përgëzoi SHKBB-në për goditjen e mekanizmit kriminal dhe theksoi se kontrollet do të intensifikohen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend, pa asnjë tolerancë ndaj shkeljeve të ligjit.
“Përgëzoj operacionin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në IEVP Elbasan për goditjen e një mekanizmi kriminal të futjes së drogës brenda burgut dhe vënien para drejtësisë të tre të dyshuarve,” u shpreh ministri Lamallari.
Ai theksoi se siguria në burgje është prioritet absolut dhe çdo tentativë për ta cenuar atë do të përballet me forcën e ligjit.
“Çdo përpjekje për të cënuar sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit do të marrë përgjigjen e merituar me të gjithë forcën e ligjit. Kontrollet nga SHKBB do të intensifikohen, verifikimet do të jenë të vazhdueshme dhe goditjet do të jenë pa tolerancë ndaj çdo shkeljeje të ligjit,” theksoi ai.
Ministri paralajmëroi gjithashtu se çdo punonjës i sistemit penitenciar që përfshihet në veprimtari kriminale do të përballet me drejtësinë.
“Çdo punonjës që tradhton detyrën dhe bëhet pjesë e skemave kriminale do të përfundojë përpara drejtësisë. Siguria në burgje është vijë e kuqe. Kush e kapërcen, merr vetëm një përgjigje: përballje me drejtësinë,” përfundoi Lamallari.
Pas një hetimi disa-mujor, SHKBB zbuloi një skemë të futjes së lëndëve narkotike në burgun e Elbasanit, e realizuar përmes bashkëpunimit mes një punonjësi burgu, një familjareje të një të paraburgosuri dhe vetë të paraburgosurit. Operacioni çoi në arrestimin e tre personave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



