Zgjedhjet në Kosovë, Kurti: Manipuluesit e votave nuk do të kenë amnisti, hetimet të shkojnë deri në fund
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me rastet e dyshuara të manipulimeve të votave brenda subjekteve politike pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ai theksoi se komisionerët dhe individët që janë përfshirë në manipulime votash nuk do të kenë amnisti dhe duhet të përgjigjen para ligjit.
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit, kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me rastet e dyshuara të manipulimeve të votave brenda subjekteve politike: Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë”, shkruan Kurti.
Kurti theksoi se vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe vota është e lirë, duke shtuar se kjo do të garantohet deri në fund.
“Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshëm për integritetin e procesit. Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”, shkruan ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim unanim për rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputetë në të gjitha komunat e Kosovës, pas identifikimit të parregullsive të shumta dhe dyshimeve për keqregjistrim të votave.
Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit duke siguruar 56 mandate në parlament, 8 më shumë sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




