Franca ndalon rrjetet sociale për të miturit nën 15 vjeç, gazetari Kutra zbulon detaje nga zbatim në praktikë i pr.ligjit, ja çdo ndodh nga 1 shtatori i 2027-ës
Ligjvënësit francezë kanë miratuar një projektligj që ndalon përdorimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, i cili pritet të hyjë në fuqi në shtator, në fillim të vitit të ri shkollor.
Artan Kutra, gazetar, radio RFI në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” deklaroi se pr.ligji ka gjetur mbështetjen jo vetëm të shumicës së deputetëve të Parlamentit, por edhe shoqërisë franceze.
Ai theksoi se ka qenë pikërisht fjalia e presidentit Emmanuel Macron se “truri i fëmijëve tanë nuk është për shitje, as për platformat amerikane, as për rrjetet kineze”, ajo e cila ka depërtuar te opinioni publik.
“Të gjithë janë rreshtuar në të njëjtën linjë. Është një linjë shumë delikate.
Presidenti francez ka thënë një fjali që ka prekur të gjithë opinionin francez, shoqatat, organizatat e ndryshme qeveritare kur tha “është një hap madhor, truri i fëmijëve tanë nuk është për shitje, as për platformat amerikane, as për rrjetet kineze”.
Një fjali që i kapërcen të gjithë kufijtë e humanizmit. Mjaftoi kjo fjali që të ngrihej mbarë opinioni publik këtu në Francë. Të gjitha mediat i bënë jehonë të gjerë këtij fenomeni”, deklaroi gazetari Kutra.
Ky i fundit u shpreh se shefi i kabinetit të shëndetit mendor ka përcaktuar dhe shpjeguar të gjitha pasojat që shkaktohen nga përdorimi i rrjeteve sociale te fëmijët poshtë moshës 15-vjeçare.
“Shefi i kabinetit të shëndetit mendor, është shprehur se nuk duhet që fëmijët të moshave nga 6 vjeç deri në moshën 11-vjeçare të përdornin telefonat celularë, tabletat në shkollë. Por tashmë ky autoritet ka përcaktuar që nuk duhet lënë deri në moshën 11-vjeçare por duhet shkuar deri në moshën 15-vjeçare. Ai shpjegon në radhë të gjitha format: mos përqendrimi i fëmijëve në shkollë, mos përqendrimi i tyre në mësime, reagimet e forta emocionale, bullizmi, etj,”, shtoi gazetari.
Më tej ai sqaroi si do të kontrollohet në praktikë zbatimi i projektligjit. Kutra theksoi se do të bllokohen të gjitha llogaritë digjitale, si dhe nuk do lejohet më hapja e e-maileve të reja për gjithë ata që nuk kanë mbushur moshën 15-vjeçare deri në 1 janar të vitit 2027.
“Autoriteti tjetër francez që merret me mbikëqyrjen e mediave, ose rrjeteve audiovizuale thotë që të ndalojmë këto rrjete sociale, dhe i rendit të gjitha, sikurse TikTok, apo platformat që merren me transmetimin e videove që nuk shkojnë më shumë se 1 minutë.
Në Parlament u votua ky pr.ligj, pati dhe 14 deputetë që votuan kundër. Në shumicë bënin pjesë deputetët pro qeverisë, deputetët e partisë së ekstremit të djathtë “Bashkimi Kombëtar”. Deputetët socialistë kanë shprehur disa hezitime, ata kërkuan shpjegime e sqarime nga ekspertët e fushës së shëndetit mendor, që deri ku duhet shkuar për të ndaluar këto rrjete sociale.
Deputetët e “Franca e pa nënshtruar” e kanë quajtur këtë projektligj si patentalizimi i gjithë rrjeteve sociale, ata thonë se nuk duhen vendosur kufij në moshat e reja.
Ligji u miratua në Parlament, por duhet të kalojë dhe nga duart e senatorëve. Është çështje javësh të miratohet dhe nga senati dhe do hyjë në përdorim nga shtatori 2026 me fillimin e vitit të ri shkollor. Kjo do realizohet gjithashtu dhe me bllokimin e llogarive digjitale, nuk do lejohet më hapja e e-maileve të reja për gjithë ata që nuk kanë mbushur moshën 15-vjeçare deri në 1 janar të vitit 2027”, përfundoi gazetari.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




